Latest / Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania / TRE VIZITORËT DHE NDËRMJETËSIMI Kur Zoti Të Vjen për Drekë — dhe Kur Ti I Lutesh për Një Qytet Zanafilla 18:1–33
Transcript
- Vizitorët dhe Ndërmjetësimi: Zanafilla 18 Vargjet Kyçe „Zoti iu shfaq Abrahamit në lisat e Mamrës, ndërsa ai ishte ulur në hyrje të çadrës në zheg të ditës. Abrahami ngriti sytë dhe pa: tre burra rrinin në këmbë pranë tij.“ (Vargjet 1-2) „A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin? Në kohën e caktuar, brenda një viti, do të kthehem te ti dhe Sara do të ketë fëmijë.“ (Vargu 14) „Larg qoftë prej teje një veprim i tillë, të vrasësh të drejtin bashkë me të paudhin! Gjykuesi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?“ (Vargu 25) Ky kapitull ka dy pjesë; të dyja janë të mrekullueshme. Në të primën, Zoti vjen për drekë te çadra e Abrahamit si mik. Në të dytën, Abrahami qëndron para Zotit dhe i lutet për një qytet të tërë me guxim që të lë pa frymë. Miku i Perëndisë ha me të, flet me të si mik të vërtetë. Kjo është pamja më e bukur e asaj që do të thotë të njohësh Perëndinë. Konteksti Historik dhe Kulturor Në botën e lashtë, mikpritja ishte gjëja më e shenjtë që ekzistonte. Nuk kishte hotele, nuk kishte restorante. Udhëtari varej krejtësisht nga dera që i hapej. Prandaj mikun e prisnin si mbret: ujë për këmbët, bukë dhe një hije. T'a ktheje mikun ishte turp për gjithë shtëpinë. Këtë e njohim mirë edhe ne shqiptarët: „Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.“ Abrahami e bëri pikërisht këtë, dhe pa e ditur, priti vetë Zotin. Letra drejtuar Hebrenjve e kujton këtë skenë kur thotë: „Mos harroni mikpritjen, sepse disa, duke treguar atë, pritën engjëj pa e ditur.“ (Hebrenjve 13:2) Kush ishin këta tre burra? Teksti na thotë vetë, pak nga pak. Njëri prej tyre ishte vetë Zoti. Vargu i parë e thotë hapur: „Zoti iu shfaq Abrahamit.“ Dy të tjerët janë engjëj. Ata do të shkojnë në Sodomë në kapitullin 19 (kapitulli 19:1 i quan „dy engjëjt“). Pra, Perëndia erdhi te dera e mikut të vet në trajtë njeriu, hëngri bukën e tij dhe u ul me të nën hije. Kjo skenë na përgatit për diçka edhe më të madhe: një ditë, Perëndia do të vinte përsëri në trajtë njeriu — jo për një drekë, por për një jetë të tërë mes nesh. Vargjet 1–8: Laku që Vrapon Vini re skenën: zheg dite, ora kur të gjithë pushojnë. Abrahami, 99 vjeç, sheh tre të panjohur dhe çfarë bën? Vrapon t'i presë (Vargu 2). Përkulet deri në tokë u thotë: „Pak ujë e një copë bukë“, dhe pastaj shtron me ngut një gosti të vërtetë: bukë të ngrohtë nga mielli më i mirë, viç të njomë e të mirë, gjalpë e qumësht. Prometon pak dhe jep shumë. Kjo është bujaria e vërtetë — e kundërta e asaj që bëjmë shpesh ne: premtojmë shumë e japim pak. Vini re: ndërsa miqtë hanë, ai rri në këmbë pranë tyre si shërbëtor (Vargu 8). Njeriu më i madh i besimit shërben në këmbë. „Kush të jetë i madh, le të shërbejë“ — këtë do të thotë një ditë edhe Zoti që po hante atë drekë (Marku 10:43). Vargjet 9–15: A ka gjë të vështirë për Zotin? Pas drekës, biseda kthehet aty ku dhemb: „Ku është Sara?“ Dhe premtimi merr për herë të parë afat: brenda një viti Sara do të ketë një bir. 24 vjet premtim pa datë; tani, papritur, data erdhi. Sara po dëgjon pas çadrës dhe qesh me vete: „A tani që jam e plakur do të kem këtë gëzim?“ E kuptojmë të gjithë: 90 vjeçe, çfarë të presësh më? Por Zoti e dëgjon edhe të qeshurën e brendshme dhe përgjigjet me pyetjen që rri në qendër të kapitullit dhe të gjithë Biblës: „A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?“ (Vargu 14) Kjo pyetje s'pret përgjigje me fjalë, pret përgjigje me jetë. Sara trembet dhe mohon: „Nuk qesha.“ Zoti qetë por prerë i thotë: „Jo, ti qeshe.“ Ai nuk e dënon, por as nuk e lejon gënjeshtrën të kalojë. Me Perëndinë s'ka nevojë të shtiremi. Ai e di të qeshurën tonë të fshehtë dhe prapë e mban premtimin. Vini re diçka të bukur te kjo skenë: Sara qeshi me mosbesim, dhe djali lindi njësoj në kohën e caktuar (Kapitulli 21:1-2). Premtimi i Perëndisë nuk u prish nga dyshimi i saj. Premtimet e Tij s'kanë ditë të dobëta. Ai e mban fjalën jo se ne besojmë përsosurisht, por se Ai është besnik. Më vonë, Sara e mësoi të qeshte ndryshe: „Perëndia më bëri të qesh“ (21:6). E qeshura e dyshimit u bë e qeshura e gëzimit. Kështu punon Ai me ne: nuk na i dënon të qeshurat e vjetra, na jep të reja. Vargjet 16–21: A do t'ia fsheh Abrahamit atë që po bëj? Miqtë ngrihen e ikin drejt Sodomës, dhe këtu ndodh diçka jashtëzakonshme. Perëndia flet me vete dhe ne na lejohet ta dëgjojmë: „A do t'i fsheh unë Abrahamit atë që po bëj?“ (Vargu 17) Përgjigja është jo. Sepse Abrahami është miku i Tij, ai që do t'u mësojë fëmijëve të vet të ndjekin rrugën e Zotit (Vargu 19). Perëndia ia tregon planet e veta miqve të Tij. Kështu do të thotë edhe Jezusi: „Nuk ju quaj më shërbëtorë... ju quajta miq, sepse ju bëra të meprekshme të gjitha ato që dëgjova nga Ati im.“ (Gjoni 15:15) Pastaj Zoti thotë se do të zbresë të shohë nëse Sodoma është vërtet aq keq sa thuhet (Vargu 21). A s'e dinte Perëndia? E dinte. Por na mëson diçka: Ai nuk gjykon me të dëgjuar. Heton vetë, sheh vetë, pastaj vendos. Sa mirë do të ishte të bënim edhe ne kështu para se të gjykojmë njerëzit! Por pse ia tregoi Perëndia Abrahamit planin për Sodomën? Mendoni pak: po të mos i kishte thënë gjë, s'do të kishte pasur as lutje. Duke ia treguar, Perëndia po e ftonte të lutej. Po i hapte derën e ndërmjetësimit. Kështu bën edhe me ne: kur Ai vë në zemër hallin e dikujt, një qytet, një familje në vështirësi, ajo nuk është rastësi. Është ftesë për të u lutur. Barra që ndien për dikë është shpesh zëri i Perëndisë që thotë: „Qëndro para meje për këtë njeri.“ Vargjet 22–33: Pazari i Shenjtë (Nga 50 në 10) Kemi dy engjëj që ikin drejt Sodomës, por Abrahami mbetet ende para Zotit (Vargu 22). Dhe fillon lutja më e guximshme e Dhjatës së Vjetër: „A do ta shkatërrosh të drejtin bashkë me të paudhin? Ndoshta ka 50 të drejtë në qytet...“ Zoti tha: „Po t'i gjej, e fal gjithë qytetin.“ Abrahami vazhdon: „Po 45?“ „Po 40?“ „Po 30?“ „Po 20?“ „Po 10?“ Gjashtë herë Abrahami e ul numrin si në pazar — por pazar për jetë njerëzish! Vini re dy gjëra bashkë te kjo lutje: Guxim i madh: „Larg qoftë prej teje! Gjykuesi i tërë tokës s'do të bëjë drejtësi?“ Përulje e thellë: „Unë që jam pluhur e hi guxoj t'i flas Zotit.“ Kjo është lutja e vërtetë: as frikë e heshtur, as paturpësi, por guxim i përulur. Kush u lodh i pari? Zoti jo. Abrahami u ndal te 10-ta. Zoti tha: „Po, çdo herë.“ Sikur të kishte vazhduar te 5, a te 1? Cila do të ishte përgjigja e Perëndisë? Nuk e dimë. Por dimë këtë: në gjithë bisedën, mëshira dhe hiri i Perëndisë nuk u lodhën asnjëherë. Dhe një gjë e fundit që shihet lehtë por harrohet shpesh: Për kë po lutej Abrahami? Për Sodomën! Qytetin që kishte marrë Lotin, qytetin më të përfolur për ligësi në gjithë vendin. Nuk u lut vetëm për Lotin, u lut për gjithë qytetin. Miku i Perëndisë nuk gëzohet kur mëkatarët digjen; qëndron në këmbë mes tyre dhe Perëndisë dhe lutet. Kjo është zemra që Perëndia kërkon edhe sot: njerëz që luten për qytetin e tyre, jo kundër qytetit të tyre. Fjalët Kyçe të Tekstit E vështirë (Vargu 14): Fjala origjinale Pala do të thotë diçka e habitshme, përtej fuqisë njerëzore, një mrekulli. Pra pyetja fjalë për fjalë është: „A ka ndonjë mrekulli tepër të madhe për Zotin?“ E njëjta fjalë kthehet te Jeremia 32:17 („Asgjë nuk është tepër e vështirë për ty“) dhe te fjala e engjëllit për një lindje tjetër të pamundur: „Asgjë s'është e pamundur për Perëndinë“ (Luka 1:37). Gjykuesi i tërë tokës (Vargu 25): Fjala origjinale për gjykatës është Shofet — ai që vendos drejt. Abrahami e ndërton gjithë lutjen mbi këtë: „Ti je i drejtë, prandaj të lutem me besim.“ Lutja e fortë nuk mbështetet te fjalët tona të bukura, por te karakteri i Tij që dëgjon. E njohim Gjykuesin, prandaj guxojmë. Pluhur e hi (Vargu 27): Në origjinal Afar va-Efer — dy fjalë që tingëllojnë njësoj: pluhuri e puhia. Abrahami e di kush është: dheu nga i cili u formua njeriu (Zanafilla 2:7). Por pikërisht ky pluhur po bisedon me Krijuesin e gjithësisë. Përulja nuk na e mbyll gojën para Perëndisë, na e hap. Ai që e di se është pluhur flet i lirë, se s'ka ç'të humbasë e ç'të mbrojë. Mbeti para Zotit (Vargu 22): Të qëndrosh para dikujt në gjuhën e Biblës do të thotë të shërbesh si ndërmjetës — të rrish në këmbë mes dy palëve. Abrahami qëndroi mes Zotit dhe Sodomës. Kjo është fjala e vjetër për atë që ne e quajmë ndërmjetësim: në lutje, të zësh vend mes Perëndisë dhe atyre që kanë nevojë për mëshirë. Lidhja me Krishtin dhe Dhjatën e Re Zoti që hëngri te çadra e Abrahamit erdhi një ditë me trup të vërtetë dhe vazhdoi të njëjtën gjë: hynte nëpër shtëpi, hante me njerëzit. Me Zakeun: „Sot duhet të rri në shtëpinë tënde“ (Luka 19:5). Me taksambledhësit e mëkatarët (Marku 2:15). Me dy udhëtarët e Emausit, ku e njohën në thyerjen e bukës (Luka 24:35). Sot po troket njësoj: „Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, unë do të hyj tek ai dhe do të haj darkë me të dhe ai me mua.“ (Zbulimi 3:20) Miku që erdhi te lisat e Mamrës kërkon ende dyyer që hapen. Tryeza më e madhe na pret përpara: „Lum ata që janë të ftuar në darkën e dasmës së Qengjit!“ (Zbulimi 19:9). Po ndërmjetësimi? Këtu Krishti shkon më shumë e më larg se Abrahami. Abrahami u lut për Sodomën dhe u ndal te 10-ta. 10 të drejtë nuk u gjetën dhe qyteti ra. Krishti u lut për botën, dhe nuk u gjet asnjë i drejtë — „nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një“ (Romakëve 3:10). Çfarë bëri atëherë? Ai nuk u ndal! U bë vetë i Drejti që mungonte dhe mbajti mbi vete zjarrin që na takonte neve. Abrahami qëndroi para Zotit për një qytet; Krishti qëndron para Atit për ne — për përgjithmonë. „Ai jeton gjithnjë për të ndërmjetësuar për ta.“ (Hebrenjve 7:25) Ka dikush në qiell që lutet për ty me emër, tani, në këtë çast. Kjo është siguria jote më e madhe: Zoti është i mëshirshëm dhe i hirshëm me ne. Aplikimi për ne Sot Në fshatrat tona thuhej dikur: „Dera që hapet për mikun, hapet për bekimin.“ Historia e Abrahamit e vërteton: hap derën për tre të panjohur, priti Zotin. Nga ky kapitull marrim këtë mësim: Hap derën dhe tryezën. Mikpritja s'është talent i disave, është urdhër për të gjithë (Romakëve 12:13). Fto dikë në shtëpi: këtë muaj një familje të re nga kisha, një fqinj të vetmuar, dikë që s'e fton njeri. Nuk duhet gosti, duhet derë e hapur. Kush e di — kështu priten engjëjt pa e ditur (Hebrenjve 13:2). Sillu pa mundim te pyetja e madhe. „A ka gjë të vështirë për Zotin?“ Cila është gjëja në jetën tënde që e ke quajtur të mbaruar — martesa, fëmija i larguar, shëndeti? Shkruaje diku këtë pyetje dhe veje përballë asaj gjëje. Zoti që i dha djalë një çifti 100 e 90 vjeç nuk ka raste të pashpresa. Mos u shtir para Perëndisë. Sara qeshi fshehtazi dhe pastaj e mohoi; Zoti e dinte. Ai e di edhe të qeshurën tënde të brendshme, dyshimin që s'ia thua njeriut. Mos e mulo. Thuaja Atij hapur. Ai nuk trembet nga dyshimet tona, tristohet vetëm nga shtirja jonë. Dhe kuskash: Sara qeshi dhe djali lindi njësoj — premtimi i Tij është më i fortë se dyshimi yt. Lutu për qytetin tënd, jo kundër tij. Abrahami u lut për Sodomën. Po ne, sa lutemi për qytetin tonë, për lagjen, për ata që tallen me besimin? Është më lehtë të ankohesh për qytetin se sa të lutesh për të. Zgjidh një ditë në javë: lutu me emra për drejtuesit, për shkollat, për familjet, për shpëtimin e njerëzve. Qyteti yt ka nevojë për një Abraham. Lutu me guxim dhe përulje bashkë. Abrahami tha: „Larg qoftë prej teje“ dhe „unë jam pluhur e hi“ në të njëjtën lutje. Mos u lut si i trembur që s'guxon të kërkojë, as si i paturp që i urdhëron Perëndisë. Lutu si fëmijë para një ati të madh, me zemër të hapur dhe kokë të përulur. Mos u ndal te 10-ta. Abrahami u lodh para se të lodhej mëshira e Zotit. Mos e lësho lutjen shpejt — për fëmijën, për të afërmin, për atë që duket i pandryshueshëm. Jezusi tha se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur (Luka 18:1). Mëshira e Tij ka më shumë durim se lutjet tona: provoje këtë deri në fund. Përmbledhje & Reflektim Zanafilla 18 na tregon Perëndinë që vjen për drekë te miku i vet 99-vjeçar që vrapon e shërben në këmbë; premtimin që merr afat dhe të qeshurën e fshehtë të Sarës me pyetjen e madhe: „A ka gjë të vështirë për Zotin?“; Perëndinë që ia tregon planet mikut të vet dhe që heton para se të gjykojë; dhe lutjen më të guximshme të Dhjatës së Vjetër — pazarllëkun nga 50 tek 10, ku mëshira e Zotit nuk u lodh asnjëherë. Dhe përtej gjithçkaje: Krishtin që troket ende nëpër dyyer dhe që ndërmjetëson për ne pa u ndalur kurrë. Mbani mend këtë varg: „A ka vallë diçka që është shumë e vështirë për Zotin?“ — Zanafilla 18:14 Vëre këtë pyetje përballë gjësë më të pamundur të jetës sate dhe lëre Zotin të përgjigjet. Paqja dhe hiri i Perëndisë qoftë mbi ju. Zoti ju bekoftë!