Latest / Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania / KUR QIELLI U HAP NE BETHEL Zanafilla 28
Transcript
- Zanafillën 28: Shkallët e Jakobit në Bethel (Zanafilla 28) Vargjet Kyçe të Kapitullit "Dhe pa një ëndërr: ja një shkallë e mbështetur mbi tokë, maja e së cilës arrinte në qiell; dhe ja engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi të."— Vargu 12"Ja, unë jam me ty dhe do të mbroj kudo që të shkosh dhe do të sjell përsëri në këtë vend; sepse nuk do të braktis para se të kem kryer atë që të kam thënë."— Vargu 15"Atëherë Jakobi u zgjua nga gjumi dhe tha: «Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija». Dhe pati frikë e tha: «Sa i tmerrshëm është ky vend! Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit»."— Vargjet 16–17 Hyrje Jakobi po ikte nga shtëpia sepse kishte mashtruar atin, kishte vjedhur bekimin e vëllait dhe gjithashtu e kishte hidhëruar atë (Kapitulli 32:10). Nata e parë e arratisë: Guri ishte jasteku i tij. Toka ishte shtrati i tij. Qielli ishte çatia e tij. Përgjatë kësaj nate — jo në tempull, jo pas pendimit, jo kur e meritonte — Perëndia zbriti. Ky kapitull na mëson diçka që s'duhet ta harrojmë kurrë: Hiri i Perëndisë të gjen edhe në natën më të keqe të jetës sate. Konteksti Historik dhe Kulturore Kapitulli fillon me diçka të rëndësishme: Isaku e thërret Jakobin dhe e bekon me vetëdije këtë herë (vargjet 1–4). Tani nuk ka mashtrim; Isaku tashmë ka pranuar vullnetin e Perëndisë: "Perëndia i Gjithëpushtetshëm të bekoftë... dhe të dhashtë bekimin e Abrahamit."— Vargjet 3–4 Isaku më në fund e njohu se Jakobi ishte trashëgimtari. Vonë, por e njohu. Perëndia i jep kohë njeriut të pranojë atë që Ai kishte thënë që në fillim. Isaku e dërgon Jakobin te Labani për të njëjtën arsye si Abrahami me shërbëtorin: gruaja duhet të vinte nga familja e besimit, jo nga kananijtë. Vendi ku Jakobi fjeti quhej Luz (vargu 19). Rruga nga Bersheva në Haran ishte rreth 800 km — një udhëtim javësh në këmbë, i vetëm. Nata e parë e gjen në një vend të zbrazët dhe me gurë për jastek. Ky detaj s'është poetik, është real: Jakobi ishte i pambrojtur, i vetmuar dhe me ndërgjegje të rënduar. Vini re gjithashtu se Esau, në fund të kapitullit, mori grua nga bijat e Ishmaelit (vargjet 8–9). Ishte një përpjekje për të kënaqur prindërit, por sërish "jashtë linjës". Esau vazhdon të bëjë gjëra që duken të drejta, por gjithmonë pak jashtë vendit. Zanafilla 28:1–5 — Bekimi i Dytë (Kësaj Here me Vetëdije) Kapitulli hapet me diçka shumë të rëndësishme: Isaku e thërret Jakobin dhe e bekon sërish, por kësaj here duke e ditur saktësisht kë po bekon. Nuk ka lëkura kecash, nuk ka gjellë mashtruese, nuk ka prapaskena. Ka vetëm një atë që më në fund pranon vullnetin e Perëndisë. Në kapitullin 27, bekimi që mori Jakobi ishte për pasuri e pushtet: "roza e qiellit, shumica e grurit". Këtu Isaku i jep diçka shumë më të madhe: bekimin e besëlidhjes — tokën e premtuar, farën, trashëgiminë e Abrahamit. Atë bekim Jakobi nuk e vodhi: ia dha ati me duart e veta dhe me zemër të hapur. Perëndia e priti Isakun derisa ai e pranoi, dhe pastaj bekimi doli i pastër. Urdhri që i dha: "Mos merr grua nga bijat e Kanaanit, shko në Padan-Aram te shtëpia e Bethuelit" (vargjet 1–2). I njëjti kujdes si i Abrahamit (kapitulli 24). Familja e besimit ka kujdes se me kë martohen fëmijët — jo nga snobizmi, por sepse besëlidhja kalon nëpër shtëpi. Ajo që Esau e injoroi, Jakobit i urdhërohet. Vargjet 6–9 — Esau Përpiqet, por Gjithmonë "Pak Jashtë" Esau pa gjithçka: pa se Isaku e bekoi Jakobin, pa se e dërgoi te Labani për grua, pa se prindërve nuk u pëlqenin gratë kanaanease, dhe reagoi: shkoi te Ishmaeli dhe mori Mahalatin, bijën e Ishmaelit, si grua të tretë (vargjet 8–9). Vini re çfarë po bën: po përpiqet të kënaqë prindërit (dhe kjo është për t'u vlerësuar), por sërish gabon vendin. Ishmaeli ishte fëmija i mishit, jo i premtimit. Linja e besëlidhjes kalonte nga Isaku, jo nga Ishmaeli. Esau përpiqet ta rregullojë gjënë me llogari njerëzore, pa pyetur Perëndinë, dhe sërish del jashtë. Ky është prototipi i njeriut "jo të keq", por gjithmonë pak jashtë vendit — njeriut që reagon ndaj pasojave, jo ndaj zemrës. Dhe vini re: nuk hoqi dorë nga gratë e para, thjesht shtoi një të tretë. Shtimi i së mirës mbi të gabuarën nuk e ndreq të gabuarën. Vargjet 10–11 — Guri për Jastek Jakobi u nis nga Bersheva dhe shkoi në drejtim të Haranit. Arriti në njëfarë vendi dhe aty kaloi natën, sepse dielli kishte perënduar (vargjet 10–11). Vini re fjalët: "njëfarë vendi" — vend pa vlerë, pa emërtuar, i rastësishëm. Mori një nga gurët e vendit, e vuri në krahë të krerëve dhe u shtri. Kjo ishte gjendja e Jakobit: nga shtëpia e pasur e Isakut, te një gur në shkretëtirë. Bekimi ishte i tij, por jeta e tij në atë çast ishte e arratisur dhe e vetmuar. Pikërisht aty, në atë vend të paemërtuar, ndodhi gjëja më e madhe. Perëndia nuk kërkon vende të bukura për t'u shfaqur; kërkon zemra që kanë nevojë për Të. Vargjet 12–13a — Shkalla dhe Kush Ecën mbi Të Jakobi pa një ëndërr: një shkallë (ose ramë) e mbështetur në tokë, me majën në qiell, dhe engjëjt e Perëndisë hipnin e zbrisnin mbi të. Vini re rendin: hipnin e para, pastaj zbrisnin. Kjo do të thotë se engjëjt ishin tashmë këtu në tokë, rreth Jakobit, para se ai t'i shihte. Perëndia kishte qenë i pranishëm gjithë kohën, thjesht Jakobi s'e dinte. Dhe në krye të shkallës qëndronte Zoti (vargu 13) — jo engjëjt, jo zëra, vetë Zoti. Shkalla nuk ishte rrugë që Jakobi duhet të ngjitej për të arritur Perëndinë; ishte rruga nga lart-poshtë, Perëndia që zbriste te njeriu. Ky është ndryshimi i madh mes Kullës së Babelit dhe Shkallës së Bethelit: Te Babeli, njerëzit ndërtuan një kullë "maja e së cilës të arrijë në qiell" (Kapitulli 11:4) — përpjekje njerëzore për t'u ngjitur. Këtu, Perëndia jep shkallën, "maja e së cilës arrin në qiell" — dhuratë hyjnore që zbret. Babeli u shemb, Betheli mbeti. Feja e njeriut ngjitet, hiri i Perëndisë zbret. Vargjet 13b–15 — Pesë Premtimet Perëndia foli. Dhe çfarë tha? Jo qortim, nuk i tha listë gabimesh, nuk tha "kur të pendohesh do të flasim", por dha vetëm premtime: Tokën ku flesh do ta jap ty dhe farës sate. Fara jote do të jetë si pluhuri i tokës. Te ti dhe te fara jote do të bekohen tërë familjet e tokës. Unë jam me ty dhe do të mbroj kudo që të shkosh. Do të sjell përsëri në këtë vend; nuk do të braktis. Pesë premtime dhe asnjë kusht. Jakobi s'kishte bërë asgjë për t'i merituar: kishte gënjyer, kishte ikur, kishte shkatërruar familjen. Dhe Perëndia i thotë: "Unë jam me ty." Ky është përkufizimi më i pastër i hirit në Zanafillë. Jo "bëhu më i mirë e pastaj do të vij", por "Unë jam me ty e pastaj do të bëhesh". Perëndia e takoi Jakobin në mes të mëkatit të tij, jo pas tij. Dhe ky takim nuk e la Jakobin siç e gjeti: nga ajo natë fillon një punë 20-vjeçare formimi që do të përfundonte në Peniel, ku emri i vjetër do të ndërrohej Vargjet 16–19 — "Zoti Është Këtu dhe Unë Nuk e Dija" Jakobi u zgjua dhe tha fjalët që mbeten ndër më të bukurat në Bibël: "Me siguri Zoti është në këtë vend dhe unë nuk e dija."— Vargu 16 Sa herë edhe ne kalojmë nëpër vende, ditë e sfidë, dhe Perëndia është aty, por ne s'e dimë? Dhimbja që duket e zbrazët, puna që duket e kotë, nata që duket e vetmuar — Ai ishte aty. Reagimi i Jakobit ishte frikë e shenjtë: "Sa i tmerrshëm është ky vend!" (jo tmerr i keq, por frikë-nderim para shenjtërisë). "Kjo nuk është tjetër veçse shtëpia e Perëndisë dhe porta e qiellit." Dhe e quajti Bethel (Shtëpia e Perëndisë), duke ndërruar emrin e vjetër Luz. Vendi pa emër mori emrin më të mirë. Vargjet 20–22 — Zotimi i Jakobit: Besim me Kushte Jakobi bëri një zotim. Por lexoni me kujdes: "Në qoftë se..." "Në qoftë se Perëndia do të jetë me mua dhe do të më mbrojë... dhe do të më japë bukë për të ngrënë e rroba për të veshur... atëherë Zoti do të jetë Perëndia im."— Vargjet 20–21 "Në qoftë se...?" Perëndia sapo i kishte dhanë pesë premtime pa kushte, dhe Jakobi përgjigjet me një marrëveshje tregtare! Ky është Jakobi: edhe me Perëndinë po bën pazar. Por vini re mëshirën: Perëndia nuk e hodhi poshtë zotimin e papjekur. Jakobi ishte ende në fillim; besimi i tij ishte i vogël, i kushtëzuar, i llogaritur. Por ishte fillimi. Perëndia punon me fillime të vogla. 20 vjet më vonë, Jakobi do të kthehet te Betheli si njeri tjetër (Kapitulli 35). Vini re edhe diçka tek zotimi: Jakobi premtoi të dhjetën e gjithçkaje: "do të të jap të dhjetën" (vargu 22). Kjo është përmendja e dytë e së dhjetës në Bibël: E para ishte me Abrahamin te Melkizedeku (Kapitulli 14:20). E dytë këtu me Jakobin. Të dyja herët, e dhjeta vjen si përgjigje spontane, e brendshme, ndaj takimit me Perëndinë — jo si detyrim ligjor (sepse ligji ende nuk ekzistonte). Kur njeriu takon Perëndinë me të vërtetë, dora hapet vetë. Dhënia nuk është masë e ligjit, është matës i mirënjohjes. Fjalët Kyçe të Kapitullit Shkallë (Sullam — vargu 12): Shfaqet vetëm një herë në të gjithë Biblën, pikërisht këtu. Studiuesit mendojnë se mund të ishte më shumë si ramë ose shkallare guri (si ziguratet e Mezopotamisë) sesa shkallë druri. Ironia është e bukur: forma e Kullës së Babelit, por me funksion krejt të kundërt — jo për të ngjitur njeriun, por për të zbritur Perëndinë. Bethel (vargu 19): Nga Beth (shtëpi) dhe El (Perëndi) = Shtëpia e Perëndisë. Emri i vjetër ishte Luz (që do të thotë Bajame ose Shmangie). Vendi i zakonshëm u bë vend i shenjtë. Perëndia riemërton vendet ashtu siç riemërton njerëzit (Abram - Abraham; Luz - Bethel; Jakob- Izrael). Porta e Qiellit (vargu 17): Shprehja origjinale është Sha'ar HaShamayim. Kujtoni Babelin: emri Babili do të thoshte pikërisht "Porta e Perëndisë", por ishte porta e rreme e ndërtuar nga njeriu. Këtu është porta e vërtetë e hapur nga Perëndia. "Nuk do të braktis" (vargu 15): Folja origjinale Azav (të lësh, të braktisësh). Premtimi është i dypërfishtë: "Unë jam me ty" (prania) dhe "nuk do të braktis" (qëndrueshmëria). E njëjta fjalë do të përsëritet te Ligji i Përtërirë 31:6 dhe Hebrenjve 13:5: "Nuk do të lë dhe nuk do të braktis". Lidhja me Krishtin dhe Dhiatën e Re Jezusi vetë e citoi këtë kapitull dhe e zbatoi mbi veten kur takoi Natanaelin: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju mehem: tani e tutje do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur e duke zbritur mbi Birin e njeriut."— Gjoni 1:51 Vini re çfarë bën Jezusi: e merr shkallën e Jakobit dhe thotë: Shkalla jam Unë. Ai është lidhja mes qiellit dhe tokës. Rruga e vetme ku qielli zbret te njeriu dhe njeriu ngjitet te Perëndia: "Unë jam udha... askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje" (Gjoni 14:6). "Ka vetëm një ndërmjetës mes Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krisht Jezus" (1 Timoteut 2:5). Jakobi pa një shkallë në ëndërr; ne kemi Shkallën në mish e gjak. Dhe ka edhe një ngushëllim më të madh: Perëndia i u shfaq Jakobit ndërsa ai ikte nga pasojat e mëkatit të vet, jo pas pendimit. Kjo është zemra e Evangjelit: "Perëndia e tregon dashurinë e Tij ndaj nesh në atë që, kur ishim ende mëkatarë, Krishti vdiq për ne."— Romakëve 5:8 Nëse po ikën sot nga diçka — nga një gabim, nga një turp, nga një rrëmujë që e krijove vetë — kujto Bethelin: Perëndia të gjen në rrugë, jo në destinacion. Aplikimi për Ne Sot Barinjtë e dinë: netët më të ftohta janë ato pa re, kur fleshe nën qiell të hapur me gur nën kokë. Por ata thonë edhe diçka tjetër: pikërisht ato net sheh yjet më mirë. Jakobi e mësoi këtë në natën e parë të arratisë. Nga ky kapitull mësojmë: Perëndia të takon në rrugë, jo vetëm në tempull. Jakobi nuk ishte në altar, në kishë, në lutje; ishte i lodhur në "njëfarë vendi", me ndërgjegje të rënduar. Qielli u hap. Mos prit të bëhesh i denjë për të takuar Perëndinë; Ai vjen te ne siç jemi dhe pastaj na ndryshon. Hapat e vegjël të besimit mjaftojnë për të filluar. Zotimi i Jakobit ishte i kushtëzuar ("Në qoftë se..."). Besimi i papjekur, llogaritës, Perëndia s'e hodhi poshtë. Ai punon me fillime të vogla dhe i çon deri te Penieli. Mëso të thuash: "Zoti ishte këtu dhe unë nuk e dija." Kthehu prapa në vitin e fundit: ku ishte Perëndia dhe ti s'e pe? Në atë humbje, në atë vonesë, në atë natë të gjatë? Bëj një listë të "Betheleve" të pavërejtura në jetën tënde. Falënderimi retroaktiv meks besimin prospektiv. Mos u përpiq të ngjitesh; prano që Ai zbret. Babeli ngjitej, Betheli zbriste. Nëse jeta jote e krishterë ndihet si ngjitje e lodhshme shkallësh, ndoshta po ndërton Babel në vend që të pranosh Bethelin. Pushosh, prano dhe beso. Ngri një gur për kujtim. Jakobi mori gurin dhe e ngriti si shtyllë kujtimore. Kur Perëndia bën diçka në jetën tënde, shënoje: shkruaj një ditar, tregoji familjes, vendos një datë. Kujtesa jonë është e dobtë; gurët e kujtimit na kthejnë te besnikëria e Tij kur vjen nata e dytë. Beso premtimin: "Do të sjell përsëri." Perëndia i tha Jakobit se do ta kthente 20 vjet më vonë, dhe e mbajti fjalën. Dëgjo premtimin: Ai di ta sjellë njeriun mbrapsht. Rruga mund të jetë e gjatë, por Ai nuk do të braktisë para se të kryejë atë që ka thënë. Çfarë Mësojmë nga Ky Kapitull? (Përmbledhje) Isaku që më në fund bekon me vetëdije. Jakobin që ikën me një shkop dhe flet mbi një gur. Shkallën ku engjëjt hipnin e zbrisnin, dhe Zotin në krye të saj. Pesë premtimet pa asnjë kusht të bëra nga Perëndia. Jakobin që zgjohet me fjalët: "Zoti ishte këtu dhe unë nuk e dija." Zotimin e papjekur që Perëndia nuk e hodhi poshtë. Kontrastin e madh: Babeli ngjitet e shembet; Betheli zbret e qëndron. Jezusin që na tha se Shkalla ka emër: Emrin e Tij. Vargu për ta mbajtur mend gjatë javës:"Ja, unë jam me ty dhe do të mbroj kudo që të shkosh, nuk do të braktis."— Zanafilla 28:15 Perëndia i tha këtë një njeriu që ikte pas mashtrimit. Nëse Ai qëndroi me Jakobin, qëndron edhe me ty. Paqja dhe hiri i Perëndisë qoftë me ju. Zoti ju bekoftë!