Latest / Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania / KTHIMI NË BETHEL Pastrimi i Shtëpisë — dhe Zotimi që Mbahet Më Në Fund Zanafilla 35:1–29
Transcript
- Kthimi në Betel — Zanafilla 35. Vargjet kyçe të kapitullit: Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Betel dhe bano aty; dhe ndërto aty një altar për Perëndinë që të pat shfaqur kur ikje nga fytyra e vëllait tënd." Vargu 1. Atëherë Jakobi i tha familjes së tij: "Hiqni perënditë e huaja që janë midis jush, pastrohuni dhe ndërroni rrobat." Vargu 2. Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael." Vargu 10. Pas gjithë asaj që ndodhi në Sikem, Perëndia i flet përsëri. Dhe çfarë thotë? Jo qortim, jo listë gabimesh, por vetëm "Çohu dhe ngjitu në Betel. Kthehu atje ku më takove herën e parë. Kthehu tek zotimi që bëre dhe s'e mbajte." Ky kapitull na tregon si duket kthimi i vërtetë tek Perëndia. Dhe se Ai s'na lë aty ku na kanë çuar gabimet tona. Konteksti historik dhe kulturor: Kanë kaluar rreth 30 vjet që kur Jakobi kaloi natën në Betel me gurin nën kokë. Aty i kishte premtuar Perëndisë: "Nëse do të kthehem shëndoshë, Zoti do të jetë Perëndia im." 28:21. Perëndia e mbajti fjalën e Vet: e mbrojti, e pasuroi, e ktheu shëndoshë; po Jakobi? Ai e kishte harruar zotimin. Kishte ndaluar në Sukoth, pastaj në Sikem. Kishte blerë tokë, kishte ngritur altar, por jo në Betel! Dhe tani, pas tragjedisë, Perëndia ia kujton butësisht: "Ndërto altar për Perëndinë që t'u shfaq ndërsa ikje nga vëllai yt Esau." Dhe një gjë e rëndësishme për ta kuptuar kapitullin: Familja e Jakobit kishte idhull në shtëpi. Rakela kishte marrë idhullat e babait (31:19) dhe pas plaçkitjes në Sikem kishin hyrë edhe idhuj të tjerë. Pra shtëpia e njeriut të besëlidhjes ishte plot me perëndi të huaja. Nuk ishte se Jakobi i adhuronte, thjesht i kishte lejuar të qëndronin. Kjo është shpesh mënyra si hyjnë gjërat e gabuara në jetën tonë: jo me vendim, por duke i lejuar. Le të ndalemi tek vargu 1: Perëndia flet pas heshtjes. Vini re çfarë nuk thotë: Nuk thotë "Pse s'erdhe më parë?", nuk thotë "Shiko ç'bëre në Sikem", por thotë vetëm "Çohu, ngjitu, ndërto altar." Kur Perëndia na thërret pas një rrëzimi, Ai nuk fillon me listën e gabimeve, fillon me drejtimin. Dhe ka edhe një fjalë të bukur këtu: "Ngjitu". Sikemi ishte në luginë, Beteli në kodra. Rruga e kthimit tek Perëndia është gjithmonë ngjitje: kërkon përpjekje, kërkon të lësh diçka pas, por që ia vlen. Vargjet 2 deri në 4 — Pastrimi i shtëpisë: Dhe Jakobi bën diçka që nuk e kishte bërë kurrë: thërret gjithë familjen dhe u tha tri gjëra. E para: "Hiqni perënditë e huaja." E dytë: "Pastrohuni." E tretë: "Ndërroni rrobat." Vargu 2. Është e njëjta radhë që ndjek çdo kthim i vërtetë tek Perëndia: heq atë që s'duhet, pastron zemrën dhe fillon nga e para. Nuk mjafton vetëm të heqësh idhullat, duhet edhe të fillosh jetë të re. Dhe familja e dëgjoi. I dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin në dorë dhe vathët që u varnin veshëve (Vargu 4) — edhe stolitë me simbole fetare — dhe ai i varrosi nën një lis pranë Sikemit. Vini re: nuk i shiti, nuk i fshehu, nuk i mbajti për çdo rast; i varrosi. Kur lëmë diçka të gabuar, duhet ta lëmë vërtet, jo ta vendosim në një sirtar për ditë vështirësish. Dhe pastaj ndodhi diçka e mrekullueshme: Tmerri i Perëndisë ra mbi qytetet rreth tyre dhe nuk i ndoqën. Vargu 5. Kujtoni frikën e Jakobit tek kapitulli 34 që thoshte "Do më sulmojnë e do më shkatërrojnë!" (Kapitulli 34, vargu 30). Ai kishte plot arsye të trembej, po kur familja u pastrua dhe u nis drejt Betelit, Perëndia i mbrojti vetë. Ndonjëherë mbrojtja që kërkojmë vjen jo nga strategjitë tona, por nga bindja jonë. Vargjet 6 deri në 8 — Altari dhe një varr: Jakobi arriti në Betel dhe ndërtoi altarin. E quajti vendin El-Betel — Perëndia i shtëpisë së Perëndisë. Vargu 7. Vini re ndryshimin e vogël por të madh: herën e parë e quajti thjesht Betel, shtëpia e Perëndisë, pra vendin. Tani e quan Perëndia i shtëpisë së Perëndisë: jo vendin, por Atë që banon aty. 30 vjet më parë ishte i mrekulluar nga vendi, tani është i mrekulluar nga Perëndia. Kjo është rritja e besimit. Dhe pastaj një varr: Debora, dadoja e Rebekës, vdiq dhe u varros nën një lis që u quajt Lisi i të qarit. Vargu 8. Pse e përmend Biblia një dado? Sepse ajo kishte ardhur me Rebekën nga Harani, kishte parë gjithë historinë e familjes dhe ishte njeri i heshtur që kujdesej për të tjerët. Perëndia i shënon edhe ata që bota s'i numëron: shërbëtorët e heshtur, gjyshet, njerëzit që mbajnë familjen bashkë. Emrat e tyre janë në Bibli. Vargjet 9 deri në 15 — Emri i ri sërish: Perëndia i shfaqet Jakobit dhe ia përsërit emrin e ri: "Nuk do të quhesh më Jakob, por Izrael." Vargu 10. Po pse sërish? Ia kishte thënë tek Jaboku (32:28a). Sepse ne kemi nevojë ta dëgjojmë më shumë se një herë! Jakobi e kishte marrë emrin e ri, por pastaj kishte ndaluar në Sikem dhe kishte jetuar si i vjetri. Perëndia na e kujton kush jemi kur ne e harrojmë. Dhe ia ripohon gjithë premtimin: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm, El Shaddai. Një komb do të dalë prej teje. Toka do të jetë e jotja." Vargjet 11, 12. E njëjta fjalë që i tha Abrahamit, e njëjta që i tha Isakut. Premtimi kalon i paprekur nga brezi në brez. Dhe Jakobi ngriti një shtyllë guri, derdhi mbi të verë dhe vaj. Vargu 14. Kujtoni tek 28:18, kishte ngritur gur dhe kishte derdhur vetëm vaj. Tani ka edhe verë! Ofertë më e plotë. Njeriu që ka marrë më shumë, jep më shumë. Adhurimi ynë rritet bashkë me njohjen tonë të Perëndisë. Vargjet 16 deri në 20 — Rakela vdes: Rrugës për në Efrat, Rakela lindi djalin e dytë dhe vdiq duke e lindur. Kujtoni kur lindi Jozefin, ajo tha "Zoti më shtoftë edhe një bir tjetër" (30:24). Perëndia ia dha, por me çmimin e jetës së saj. Dhe në frymën e fundit e quajti djalin Ben-Oni — biri i dhimbjes sime. Por Jakobi e quajti Benjamin — biri i dorës së djathtë, domethënë biri i forcës dhe i nderit. Vargu 18. Kjo është një nga skenat më prekëse të Zanafillës: nëna duke vdekur e sheh djalin përmes dhimbjes së vet, babai i jep një emër që shikon përpara, jo prapa. Dhe ka një mësim të madh këtu: Dhimbja jonë është e vërtetë, por nuk duhet të bëhet emri i asaj që vjen. Perëndia bën të njëjtën gjë me ne. Vargjet 21 deri në 29: Pastaj vjen një varg i shkurtër dhe i rëndë: Rubeni, djali i parë, fjeti me Bilhën, gruan e babait; dhe Izraeli e mori vesh. Vargu 22. Kaq. Asnjë fjalë tjetër. Jakobi sërish hesht. Dhe si me Simeonin e Levin, edhe këtu heshtja s'do të thotë se nuk ka pasojë. Në shtratin e vdekjes Jakobi do t'i thotë Rubenit se humbi vendin e parë (49:3-4). Ajo që nuk trajtohet sot, del në llogari nesër. Menjëherë pas kësaj, lista e 12 djemve (Vargjet 22 deri në 26). Vendosja është e qëllimshme: pikërisht pas një turpi familiar, Biblia rreshtonte 12 emrat që do të bëhen 12 fiset e Izraelit. Perëndia ndërton kombin e Vet me familje që kanë histori të vështira, jo me familje të përsosura. Dhe në fund, Jakobi arriti tek Isaku, babai i tij, në Hebron. Pas gjithë atyre viteve, babai e biri u takuan përsëri. Isaku vdiq, plak dhe i ngopur me ditë — e njëjta shprehje si Abrahami (25:8). Dhe bijtë e tij, Esau dhe Jakobi, e varrosën. Vargu 29. Sërish, si tek varrimi i Abrahamit, dy vëllezërit e ndarë bashkë tek varri i atit. Pajtimi i kapitullit 33 mbajti: kur bëjmë paqe me kohë, mund të qëndrojmë bashkë edhe në ditët e vështira. Fjalët kyçe të kapitullit: Ngjitu (Vargu 1): Folja origjinale Alah — të ngjitesh, të shkosh lart. E kundërta Yarad — zbritje. Fjala që përdoret kur dikush largohet nga vullneti i Perëndisë. Në Bibli, kthimi tek Perëndia përshkruhet gjithmonë si ngjitje: ngjitja lodh, por të nxjerr nga luginat. Pastrohuni (Vargu 2): Folja origjinale Taher — të pastrohesh, të bëhesh i pastër. Do të bëhet fjalë kyçe e gjithë Ligjit të Moisiut. Dhe Jakobi e lidhi me tri hapa: hiq idhullat, pastrohu, ndërro rrobat. Kjo është pikërisht ajo që Pauli do të thotë "zhvishni njeriun e vjetër dhe vishni njeriun e ri" (Efesianëve 4:22-24). El-Betel (Vargu 7): Perëndia i shtëpisë së Perëndisë. Jakobi nuk e emërton më vendin, emërton personin. Kjo është ndryshimi mes fesë së vendeve dhe besimit tek Perëndia. Mund të duam kishën, ndërtesën, traditën, por ajo që na shpëton është Ai që banon aty. Benjamin (Vargu 18): Nga Ben (bir) dhe Yamin (dora e djathtë) = Biri i dorës së djathtë. Dora e djathtë në Bibli do të thotë vend nderi dhe force. Jakobi mori emrin e dhimbjes dhe e ktheu në emër shprese. Dhe kjo është ajo që bën Perëndia me ne: do t'u japë një kurorë në vend të hirit, vaj gëzimi në vend të zisë (Isaia 61 vargu 3). Lidhja me Krishtin dhe Dhjatën e Re: Thirrja e Perëndisë tek Jakobi: "Kthehu në Betel", është e njëjta thirrje që Jezusi i bën kishës së Efesit: "Por kam diçka kundër teje: ke lënë dashurinë tënde të parë. Kujtohu pra se nga ke rënë, pendou dhe bëj vepra të mira." Zbulesa 2:4 dhe 5. Tri fjalë:ujtohu, pendou, bëj. Pikërisht ato bëri Jakobi: u kujtua për zotimin, u pastrua nga idhullat dhe ndërtoi altarin. Kthimi tek Perëndia nuk është ndjenjë, është veprim. Nëse ke ndjerë se je larguar nga vendi ku ishe dikur me Perëndinë, rruga është e njëjtë: kujto ku ishe, hiq atë që hyri dhe rifillo. Dhe ka edhe një lidhje me Benjaminin: Rakela e quajti "Biri i dhimbjes", Jakobi e quajti "Biri i dorës së djathtë". Krishti është të dyja bashkë: Ai është njeriu i dhimbjeve (Isaia 53:3) dhe tani rri në të djathtën e Perëndisë (Marku 16:19). Nga dhimbja tek nderi, nga kryqi tek froni, Ai është biri që kaloi të dy emrat për ne. Dhe një gjë e fundit: Rakela vdiq afër Betlehemit (Vargu 19). Në atë vend, shekuj më vonë, do të lindte Ai që do t'i thante lotët përgjithmonë. Jeremia do të shkruajë për Rakelën që qan bijtë e saj (Jeremia 31:15) dhe Mateu do të citojë kur Herodi vret fëmijët e Betlehemit (Mateu 2:18). Por i njëjti kapitull i Jeremisë vazhdon: "Ndalo zërin nga i qara... ka shpresë për të ardhmen tënde." Vargjet 16 dhe 17 të kapitullit 31. Aty ku Rakela qaush, lindi shpresa. Aplikimi për ne sot: Kur pastrojmë shtëpinë për festë, gjejmë gjithmonë gjëra që i kishim harruar: sendet e prishura në sirtare, rroba që s'i veshim më, gjëra që i mbajtëm se mos duhen ndonjëherë. Dhe kur i heqim, shtëpia mer frymë. Zanafilla 35 është pastrimi i madh i një familjeje. Nga ky kapitull marrim 6 mësime. Së pari: Kthehu tek zotimet e harruara. Jakobi kishte premtuar diçka në Betel dhe e kishte harruar për 30 vjet. A ke premtuar diçka Perëndisë në një ditë të vështirë, në një lutje, në një çast gëzimi — dhe pastaj jeta të mori me vete? Kujtoje sot! Perëndia se ka harruar, dhe s'të qorton; të thërret. Së dyti: Pastro shtëpinë, jo vetëm veten. Jakobi thirri gjithë familjen. Nuk mjafton që unë të jem në rregull, nëse në shtëpi ka gjëra që na largojnë nga Perëndia. Bisedo me familjen: çfarë ka hyrë te ne që s'duhet të jetë? Çfarë shikojmë, dëgjojmë, lejamë? Pastrimi është punë familjare. Së treti: Varrosi, mos i fshih. Jakobi i varrosi idhullat nën lis. Nuk i shiti, nuk i mbajti për çdo rast. Kur lëmë një zakon, një lidhje, një gjë të gabuar, le ta lëmë vërtet. Gjërat që i mbajmë rezervë kthehen gjithmonë kur vjen dita e dobi. Së katërti: Beso se bindja sjell mbrojtje. Jakobi kishte frikë se do ta sulmonin, dhe Perëndia vuri tmerrin e vet mbi qytetet. Kur bëjmë atë që na thotë Ai, mbrojtja vjen nga vende që s'i llogarisim. Mos bëj kompromis nga frika. Frika është këshilltari më i keq. Së pesti: Mos e lër dhimbjen të bëhet emri i së ardhmes. Rakela e quajti djalin "Biri i dhimbjes sime", Jakobi e quajti "Biri i dorës së djathtë". Dhimbja jote është e vërtetë, por mos e lër të vendosë emrin e asaj që vjen. Perëndia riemërton: nga hiri në kurorë, nga zia në vaj gëzimi. Së gjatëi: Mos e hesht kur duhet folur. Jakobi heshti te Dina, heshti te Rubeni dhe të dyja dolën në llogari më vonë. Nëse ka diçka në familje që duhet trajtuar, mos e shtyj me shpresën se do kalojë vetë. Ajo që nuk trajtohet sot, del nesër dhe me kamatë. Çfarë mësojmë nga ky kapitull? Zanafilla 35 na tregon Perëndinë që flet pas rrëmujës. Pa qortim, vetëm me drejtim: "Çohu, ngjitu në Betel." Familjen që hoqi idhullat, u pastrua dhe ndërroi rrobat. Mbrojtjen që erdhi bashkë me bindjen. Altarin El-Betel, ku vendi ia lëshoi vendin personit. Emrin e ri të përsëritur sepse ne harrojmë. Rakelën që vdiq duke thënë "Biri i dhimbjes" dhe babain që tha "Biri i dorës së djathtë". Dhe dy vëllezërit që u takuan sërish tek varri i babai. Perëndia s'na lë aty ku na ka çuar gabimi ynë: na thërret të ngjitemi. Mbaie mend këtë varg: "Çohu, ngjitu në Betel dhe bano aty." Zanafilla 35:1. Ka gjithmonë një rrugë kthimi, dhe Ai që të pret aty s'ka ndryshuar. Paqja dhe hiri i Perëndisë qoftë me ju, Zoti ju bekoftë!