Latest / Udha e Verteta dhe Jeta - TruthFM Albania / JOZEFI TE POTIFARI Besnikëria që Kushton — dhe Zoti që Rri me Ty Zanafilla 39:1–23
Transcript
- JOZEFI TE POTIFARI Besnikëria që Kushton — dhe Zoti që Rri me Ty Zanafilla 39:1–23 1. Vargjet Kyçe të Kapitullit Por Zoti ishte me Jozefin; dhe ai qe një njeri që i shkonte mbarë dhe rrinte në shtëpinë e zotërisë së tij, egjiptianit. — Zanafilla 39:2 «Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoj kundër Perëndisë?» — Zanafilla 39:9 Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij, duke bërë që të gjente hir në sytë e drejtuesit të burgut. — Zanafilla 39:21 Ky kapitull ka një fjali që përsëritet katër herë: «Zoti ishte me Jozefin». Dhe vini re ku përsëritet: kur ishte skllav, kur i shkoi mbarë, kur u akuzua padrejtësisht, dhe kur ishte në burg. Njësoj në të katër vendet. Prania e Perëndisë nuk varet nga rrethanat tona — dhe ky është ngushëllimi më i madh i kapitullit. 2. Konteksti Historik dhe Kulturor Potifari ishte «oficer i Faraonit, kapiten i rojes» (v. 1) — pra njeri me pozitë të lartë, ndoshta kreu i rojeve mbretërore ose i burgut shtetëror. Shtëpitë e njerëzve të tillë ishin si ndërmarrje të vogla: shërbëtorë, toka, llogari, magazina. Kur Jozefi u bë «kujdestar i shtëpisë» (v. 4), ai po drejtonte gjithçka — një skllav i huaj, njëzet e ca vjeç, me përgjegjësi që një egjiptian s'ia jepte lehtë një hebreu. Dhe kjo është e rëndësishme për ta kuptuar sa kushtoi zgjedhja e tij. Jozefi kishte arritur majën e mundshme për një skllav. Kishte punuar vite për atë vend. Dhe e humbi gjithçka brenda një dite — jo sepse gaboi, por sepse nuk gaboi. Kjo është pjesa më e vështirë e kapitullit: nganjëherë njeriu paguan pikërisht për atë që bëri mirë. 3. Shpjegimi i Tekstit Vargjet 1–6: Skllav — por me Zotin Kapitulli fillon me realitetin e hidhur: Jozefi u shit dhe u çua në Egjipt. Ishte skllav, larg shtëpisë, pa të drejta. Dhe menjëherë teksti shton: «Por Zoti ishte me Jozefin» (v. 2). Vini re fjalën «por». Bibla nuk thotë se Perëndia e nxori nga skllavëria; thotë se ishte me të brenda saj. Perëndia nuk premton gjithmonë të na heqë nga vendi i vështirë — premton se NUK DO të jemi vetëm aty. Dhe Jozefi punoi. Nuk u ul të vajtonte fatin, nuk u hakmor, nuk u bë përtac nga hidhërimi. Punoi aq mirë sa Potifari e vuri mbi gjithë shtëpinë — dhe «Zoti bekoi shtëpinë e egjiptianit për shkak të Jozefit» (v. 5). Prania e një besimtari të vërtetë bekon vendin ku është, edhe kur ai vend s'e meriton. Kujtoni Labanin: «Zoti më ka bekuar për shkakun tënd» (30:27). Përsëritet. Vargjet 7–10: Tundimi që kthehet çdo ditë Gruaja e Potifarit filloi ta ndiqte. Dhe teksti thotë diçka të rëndësishme: kjo nuk ishte një herë — ishte «ditë pas dite» (v. 10). Nuk ishte një çast dobësie i papritur; ishte presion i vazhdueshëm, i përsëritur, që lodh. Kështu punon tundimi më i rrezikshëm: jo me një sulm të fortë, por me përsëritje derisa njeriu lodhet dhe thotë «mjaft, po dorëzohem». Dhe përgjigja e Jozefit ka tri pjesë. E para, besnikëri ndaj njeriut: «zotëria im s'ka mbajtur asgjë nga unë veç teje, sepse je gruaja e tij» (v. 8–9) — ai e njihte besimin që i ishte dhënë dhe s'donte ta tradhtonte. E dyta, emërtimi i qartë: e quajti «kjo e keqe e madhe» — pa e zbutur, pa e quajtur «gabim i vogël». E treta dhe kryesorja: «dhe të mëkatoj kundër Perëndisë?» (v. 9). Kjo fjali e fundit është zemra e gjithçkaje. Askush s'do ta merrte vesh: Potifari s'ishte aty, gruaja s'do të fliste, Jozefi ishte në një vend të huaj ku askush s'e njihte familjen e tij. Nuk kishte njeri për të cilin duhej të ruhej. Por Jozefi tha kundër Perëndisë. Ai e dinte se çdo mëkat, edhe ai që s'e sheh njeri, është kundër Perëndisë. Davidi do ta thotë të njëjtën gjë: «kundër teje, vetëm kundër teje, kam mëkatuar» (Psalmi 51:4). Dhe vini re çfarë bëri praktikisht: «nuk pranoi as të rrinte pranë saj» (v. 10). Jo vetëm refuzoi — shmangu edhe afërsinë. Nuk luajti me zjarrin duke menduar se ishte i fortë. Kjo është urtësi që shumë humbin: mendojmë se mund të rrimë afër tundimit sepse kemi vullnet. Jozefi tregoi rrugën tjetër. Vargjet 11–18: Rroba dhe akuza Erdhi një ditë kur shtëpia ishte bosh. Ajo e kapi nga rroba: «fli me mua!» Dhe Jozefi bëri gjënë e vetme që mund të bënte: ia la rrobën në dorë dhe iku (v. 12). Nuk qëndroi për të diskutuar, nuk u përpoq ta bindte me argumente — iku. Pali do ta shkruajë të njëjtën këshillë: «Ikni nga kurvëria» (1 Korintasve 6:18). Ka tundime që i luftojmë; ka të tjera nga të cilat thjesht ikim. Dhe kjo nuk është se ke frike — por është urtësi. Por vini re çmimin: Jozefi u shpëtua duke lënë rrobën. Për të dytën herë në jetën e tij, një rrobë e tij u përdor si dëshmi e rreme — herën e parë nga vëllezërit, tani nga kjo grua. Të dyja herët, ai humbi gjithçka pa asnjë faj. Dhe të dyja herët, ajo humbje ishte hapi tjetër i planit të Perëndisë. Akuza e saj është mjeshtërore dhe e helmuar. Te shërbëtorët tha: «na solli një hebre për të na turpëruar» (v. 14) — përdori paragjykimin ndaj të huajit dhe i futi edhe ata në anën e vet. Pastaj te burri: «skllavi hebre që na solle ti» (v. 17) — ia hodhi fajin edhe atij. Gënjeshtra e ndërtuar mirë gjen gjithmonë një grup për ta ndarë fajin. Vargjet 19–23: Burgu — dhe sërish «Zoti ishte me të» Potifari u zemërua dhe e futi Jozefin në burg. Dhe këtu ka DICKA që shumë e vënë re: nëse Potifari do ta kishte besuar plotësisht akuzën, një skllav i huaj që sulmon gruan e zotërisë do të vritej menjëherë. Ai e futi në burg — dhe në burgun e vet, atë të rojës mbretërore. Ndoshta diçka brenda tij dyshonte. Por nuk deshi ta hetonte, sepse e vërteta do t'i kushtonte nderin e shtëpisë. Sa herë njerëzit zgjedhin heshtjen ndaj së vërtetës, thjesht se e vërteta është e papërshtatshme. Dhe pastaj vjen fjalia që përsëritet: «Por Zoti qe me Jozefin dhe u tregua dashamirës ndaj tij» (v. 21). Në pallat ishte me të; në burg është me të. Nuk ndryshoi asgjë te Perëndia. Dhe sërish ndodh e njëjta gjë: drejtuesi i burgut ia beson gjithçka, dhe «Zoti bënte të shkonte mbarë çdo gjë që ai bënte» (v. 23). POR Vini re modelin e jetës së Jozefit: në shtëpinë e babait — i preferuari; te Potifari — kujdestar i gjithçkaje; në burg — përgjegjës i të burgosurve; dhe një ditë, i dyti i Egjiptit. Kudo që e hidhnin, ai ngrihej — sepse Perëndia ishte me të. Rrethanat e uleshin; Perëndia e ngrinte. Dhe një gjë e fundit që s'duhet humbur: kapitulli mbyllet pa asnjë shpjegim. Jozefi mbetet në burg. Nuk ka mrekulli që hap derën, nuk ka Potifar që e kupton gabimin, nuk ka DRJETESI që vjen menjëherë. Do të kalojnë edhe dy vjet të tjerë para se diçka të ndryshojë (41:1). Bibla nuk na jep gjithmonë fundin e shpejtë. Por na jep diçka më të mirë: sigurinë se Perëndia është aty ndërsa presim, dhe se koha e pritjes nuk është kohë e humbur — është përgatitje për atë që vjen. 4. Fjalët Kyçe të Kapitullit «Zoti ishte me të» (v. 2, 3, 21, 23). Shprehja origjinale «JHVH et Josef» — Zoti me Jozefin. Përsëritet katër herë, në të katër rrethanat: skllavëri, sukses, akuzë, burg. Kjo është ajo që Perëndia i tha Jakobit («unë jam me ty», 28:15), Isakut (26:24), dhe që Jezusi do t'u thotë dishepujve: «unë jam me ju gjithë ditët» (Mateu 28:20). «I shkonte mbarë» (v. 2). Folja origjinale tsalah — të kesh sukses, t'i dalë mbarë. Vini re ku përdoret: për një skllav. Sipas Biblës, «t'i shkojë mbarë» nuk do të thotë domosdoshmërisht të kesh liri, para dhe rehati — do të thotë që dora e Perëndisë të jetë mbi atë që bën, kudo qofsh. «Kundër Perëndisë» (v. 9). Jozefi mund të kishte thënë «kundër Potifarit» — dhe do të ishte e vërtetë. Por shkoi më thellë. Çdo mëkat ka një viktimë njerëzore, por ka gjithmonë edhe një Person të ofenduar: Perëndinë. Kjo ndryshon gjithçka: sepse njerëzit mund të mos e marrin vesh — Ai e di gjithmonë. «Iku dhe doli jashtë» (v. 12). Dy folje lëvizjeje: iku, doli. Bibla e nderon këtë ikje si trimëri, jo si dobësi. Në Dhiatën e Re, Pali do të përdorë të njëjtën gjuhë: «ik nga dëshirat rinore» (2 Timoteut 2:22). Ka beteja që fitohen me këmbë, jo me argumente. «Kapiten i rojes» (v. 1). Shprehja origjinale sar hatabahim — fjalë për fjalë «kryetar i therësve», pra kreu i rojeve mbretërore, ai që kryente edhe dënimet. Potifari kishte fuqi mbi jetë e vdekje. Prandaj është domethënëse që Jozefin e futi vetëm në burg. Perëndia e mbrojti jetën e tij edhe përmes një njeriu të zemëruar. 5. Lidhja me Krishtin dhe Dhiatën e Re Jozefi u akuzua padrejtësisht, s'u mbrojt me fjalë të regjistruara, dhe u dënua për një krim që s'e kishte bërë. Kjo skenë ka jehonën e vet të qartë: «Ai u keqtrajtua, por nënshtroi veten dhe nuk e hapi gojën... si një qengj që e çojnë në thertore». — Isaia 53:7 Jozefi hyri në burg pa faj; Krishti shkoi në kryq pa faj. Të dy u tradhtuan nga njerëzit e afërt, të dy u akuzuan me dëshmi të rreme, të dy heshtën. Por ka një ndryshim të madh: Jozefi vuajti për të ruajtur veten të pastër; Krishti vuajti për të na bërë ne të pastër. Jozefi ruajti ndërgjegjen e vet; Krishti mori mbi vete ndërgjegjet tona të njollosura. Dhe ka edhe një premtim që del direkt nga ky kapitull. Jozefi u tundua ditë pas dite dhe qëndroi. Si? Sepse dinte se Perëndia ishte me të. Dhe Bibla na e jep të njëjtin premtim: «Asnjë tundim nuk ju ka gjetur juve, përveç se tundimi njerëzor; por Perëndia është besnik dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej fuqive tuaja, por bashkë me tundimin do t'ju japë edhe rrugëdaljen». — 1 Korintasve 10:13 Vini re: «rrugëdaljen». Për Jozefin, rrugëdalja ishte dera e hapur dhe këmbët e tij. Perëndia gjithmonë lë një derë — por ne duhet ta përdorim. Shpesh e shohim rrugëdaljen dhe rrimë. Jozefi iku. 6. Aplikimi për Ne Sot Emigrantët tanë E KUPTOJNE mirë këtë kapitull. Larg shtëpisë, në një vend ku askush NUK njeh, ku familja NUK TE sheh dhe kisha është larg — aty provohet vërtet kush je. Sepse mbetesh vetëm ti dhe Perëndia. Jozefi e kaloi atë provë. Nga ky mësim marrim: Së pari — puno mirë edhe kur vendi NUK TE takon. Jozefi ishte skllav padrejtësisht i shitur — dhe punoi aq mirë sa e bekoi gjithë shtëpinë. Nëse je në një punë që s'e do, në një vend ku ndihesh i PERDORUR PADRJETESISHT, mos e lësho cilësinë e punës tënde. Puna jote është dëshmi, edhe kur rrethanat janë të gabuara (Kolosianëve 3:23). Së dyti — mos rri afër zjarrit. Jozefi «nuk pranoi as të rrinte pranë saj». Nëse e di se diçka të tundon — një person, një vend, një aplikacion në telefon, një zakon — mos u mburr me vullnetin tënd. Largo veten nga afërsia. Ata që rrinë afër zjarrit, dikur digjen. Së treti — kujto se mëkati është kundër Perëndisë. «Si të mëkatoj kundër Perëndisë?» Askush s'do ta merrte vesh. Kur je vetëm — në një qytet të huaj, para një ekrani, në një çast kur askush s'të sheh — kjo pyetje e ndryshon gjithçka. Nuk je kurrë vetëm: Ai është aty. Dhe kjo s'është kërcënim, është ankorë. Së katërti — ndonjëherë ik, mos qëndro të diskutosh. Jozefi la rrobën dhe iku. Nuk qëndroi të shpjegonte se pse s'duhej. Ka biseda që s'duhen filluar, mesazhe që s'duhen hapur, ftesa që s'duhen menduar. «Ik nga kurvëria» (1 Kor. 6:18) — Bibla e quan këtë trimëri. Së pesti — përgatitu se e drejta ndonjëherë kushton. Jozefi bëri gjënë e duhur dhe përfundoi në burg. Kjo ndodh: njerëzit gënjejnë, të padrejtët fitojnë, dhe ne paguajmë për ndershmërinë. Mos u trondit dhe mos e ndrysho rrugën. Pjetri shkroi: «është më mirë të vuash duke bërë të mirën, se duke bërë të keqen» (1 Pjetrit 3:17). Së gjashti — mbaje mend: Ai është me ty edhe në burg. «Zoti ishte me Jozefin» — në pallat dhe në qeli, me të njëjtat fjalë. Nëse sot je në një «burg» — sëmundje, papunësi, akuzë e padrejtë, vetmi — prania e Perëndisë nuk është ulur bashkë me rrethanat e tua. Ai është aty njësoj si në ditët e mira. 7. Çfarë Mësojmë Nga ky kapitull Zanafilla 39 na tregoi një skllav që punoi aq mirë sa bekoi shtëpinë e zotërisë; një tundim që u përsërit ditë pas dite; një përgjigje me tri shtylla — besnikëri, emërtim i qartë i së keqes, dhe «kundër Perëndisë»; një rrobë të lënë në dorë dhe këmbë që ikën; një akuzë të rreme dhe një burg pa faj. Dhe mbi të gjitha, katër herë të njëjtën fjali: «Zoti ishte me Jozefin» — në skllavëri, në sukses, në akuzë dhe në burg. Mbaje mend këtë varg Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të mëkatoj kundër Perëndisë?» (Zanafilla 39:9). Kur askush nuk të sheh, kjo pyetje është ajo që të mban. PAQJA DHE HIRI I PERENDSE QOFTE ME TE GJITHE JU ZOTI U BEKOFTE!